ÇKA THA POPULLI?

Në vitin 2026, qytetarët e Kosovës duket se po kërkojnë diçka shumë më modeste, por paradoksalisht shumë më të vështirë: normalitet.
Afrim Haliti
Loading Icons...
test12

ÇKA THA POPULLI?

Afrim Haliti
Loading Icons...

Zgjedhjet e 7 qershorit prodhuan një rezultat interesant: të gjithë fituan diçka e askush nuk fitoi mjaftueshëm.

Vetëvendosje fitoi zgjedhjet, por humbi një pjesë të mirë të hegjemonisë së saj politike. Opozita fitoi terren, por jo besimin e nevojshëm për t’u shndërruar në alternativë të padiskutueshme qeverisëse. Ndërkaq qytetari kosovar, përmes mospjesëmarrjes së lartë, lëshoi ndoshta verdiktin më të rëndë ndonjëherë ndaj tërë klasës politike.

Prandaj, mu për këtë arsye, rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk duhet lexuar si matematikë parlamentare. Për më tepër, duhet lexuar si simptomë.

Çdo demokracie i vjen koha kur zgjedhjet nuk i tregojnë më se kush fitoi por çka nuk po funksionon më. Kosova, sipas gjitha gjasave ka hyrë pikërisht në këtë fazë.

Në vitin 1999 qytetarët kërkonin liri. Në vitet e para të pasluftës kërkonin shtet. Më pas kërkuan njohje ndërkombëtare, zhvillim ekonomik dhe integrim euro-atlantik. Në shkurt të vitit 2021 kërkuan ndëshkimin e establishmentit politik të krijuar pas luftës dhe i dhanë një mandat historik një lëvizjeje që premtonte transformim rrënjësor të sistemit.

Në vitin 2026, qytetarët e Kosovës duket se po kërkojnë diçka shumë më modeste, por paradoksalisht shumë më të vështirë: normalitet.

Për këtë arsye këto zgjedhje janë shumë më domethënëse sesa duken në shikim të parë.

Në aspektin numerik, Vetëvendosje mbetet forca më e madhe politike në vend. Askush nuk mund ta kontestojë këtë. Por në aspektin politik dhe sociologjik, mesazhi është paksa më kompleks. Për herë të parë pas shumë vitesh, duket qartë se projekti politik i Vetëvendosjes nuk gëzon më atë lloj monopoli moral që e kishte ndërtuar me kujdes sa ishte në opozitë.

Kjo medoemos është ndoshta ngjarja më e rëndësishme politike e këtyre zgjedhjeve.

Për një kohë të gjatë, Vetëvendosje nuk ishte veç parti politike. Ajo ishte një ide. Ishte një mënyrë e të kuptuarit të realitetit politik. Ishte bindja se ekzistonte një vijë e qartë ndarëse ndërmjet së mirës dhe së keqes, ndërmjet ndryshimit dhe status quo-së si dhe ndërmjet moralitetit dhe korrupsionit.

Por politika na mëson se çdo lëvizje e cila e ndërton legjitimitetin e saj mbi superioritetin moral herët a vonë përballet me një problem të pashmangshëm: momentin kur duhet të qeverisë.

E them problem sepse gjithmonë pushteti është armiku më i madh i “pastërtisë” politike.

Ai prodhon kompromis e burokraci. Prodhon interesa. Pastaj prodhon mbrojtje të vetvetes e gradualisht e transformon edhe lëvizjen më idealiste në një strukturë që fillon të ngjajë me ato që dikur i kundërshtonte.

Kjo nuk është specifikë ekskluzivisht kosovare por histori universale e politikës.

Për këtë arsye, rënia relative e Vetëvendosjes nuk duhet kuptuar si ndëshkim i një qeverie të vetme. Kjo rënie duhet kuptuar si hyrje në fazën kur qytetari fillon ta gjykojë performancën kundrejt narrativës.

Me fjalë të tjera, politika kosovare po kalon gradualisht nga të qenurit fe tek të qenurit administrim.

Ky proces është një tranzicion që pothuajse gjithmonë prodhon zhgënjim.

Megjithatë, po aq gabim do të ishte po qe se opozita e interpreton këtë si fitore të saj.

Nëse këto zgjedhje na mësuan diçka, ajo është se zhgënjimi ndaj pushtetit nuk përkthehet automatikisht në besim ndaj opozitës.

Në fakt, përtej deklaratave të partive, rezultati i djeshëm sugjeron të kundërtën.

Qytetari kosovar e ndëshkoi pushtetin pa e shpërblyer opozitën në masën që kjo e fundit do ta dëshironte. Kjo është ajo shenja klasike e asaj që në shkencat politike quhet krizë e përfaqësimit.

Kjo është pikërisht pika ku Kosova ndodhet sot.

Për vite të tëra kemi folur për krizë qeverisjeje. Kemi folur për korrupsion, për paaftësi administrative, për konflikte institucionale e për mungesë zhvillimi.

Por kriza e qeverisjes është problem teknik.

Ndërkaq, kriza e përfaqësimit është problem ekzistencial.

E para pyet nëse qeveria po punon mirë.

E dyta pyet nëse qytetari ende beson se dikush po punon mirë për të.

E dallimi ndërmjet këtyre dy pyetjeve është kolosal.

Rënia e pjesëmarrjes në votime duhet lexuar pikërisht në këtë kontekst sepse nuk është veç statistikë e as rastësi. Madje nuk është as indiferencë.

Është mesazh.

Është mënyra më e qetë, por njëkohësisht më e pamëshirshme me të cilën një shoqëri i thotë elitës së saj politike se ka filluar të humbasë besimin.

Kur qytetarët humbasin besimin tek një parti, ata rëndom kërkojnë një tjetër. Mirëpo, problemi i vërtetë fillon kur ta humbasin besimin tek e tërë klasa politike.

Prandaj, shqetësimi më interesant pas këtyre zgjedhjeve nuk është se kush do ta formojë qeverinë.

Shqetësimi është nëse ndokush e ka kuptu mesazhin.

E mesazhi nuk gjendet tek mandatet e fituara por tek mungesa e entuziazmit.

Gjendet tek lodhja.

Gjendet tek perceptimi gjithnjë e më i përhapur se politika më shumë po prodhon spektakël sesa zgjidhje.

Në këtë kuptim, zgjedhjet e 7 qershorit, përfundimisht, shënojnë fundin e një cikli politik.

Jo domosdoshmërisht fundin e Vetëvendosjes.

Jo domosdoshmërisht as fundin e opozitës aktuale.

Por fundin e një epoke ku qytetarët dukej se mjaftoheshin me premtime.

Sot kërkohet rezultat.

Kërkohet ekonomi.

Kërkohet produktivitet.

Kërkohet siguri.

Kërkohet perspektivë.

Kërkohet shtet.

E kur ekzistojnë të gjitha këto kërkesa, atëherë domosdoshmërisht arrijmë tek pyetja më e rëndësishme për të ardhmen:

A mund ta prodhojnë partitë ekzistuese këtë transformim?

Përgjigjja ende nuk dihet.

Por nëse nuk munden, atëherë hapësira për një subjekt të ri politik do të bëhet gjithnjë e më e madhe.

Assesi jo një parti që ndërtohet rreth një lideri të ri karizmatik.

Assesi jo një tjetër projekt proteste.

Dhe assesi jo një tjetër lëvizje që ushqehet me zemërim sepse Kosova nuk ka më mungesë zemërimi.

Ka mungesë vizioni.

Ka mungesë shtetarësh.

Ka mungesë njerëzish që flasin për ekonominë me të njëjtin pasion me të cilin flasin për pushtetin.

Ka mungesë njerëzish që e kuptojnë se në shekullin 21 fuqia e një shteti nuk matet vetëm me patriotizmin e tij, por me kapitalin njerëzor, teknologjinë, arsimin, produktivitetin dhe aftësinë për të krijuar pasuri.

Në fund, mbase edhe nuk duhet pyetur nëse Kosovës i duhet një parti e re.

Ndoshta pyetja më e mirë kishte me qenë nëse Kosovës i duhet një brez i ri politik.

Për shkak se kriza që po shohim nuk është vetëm krizë qeverisjeje.

Nuk është as krizë opozite.

Është krejtësisht krizë e imagjinatës politike.

Tashmë për më shumë se një dekadë kemi prodhuar beteja në vend se vizione.

Kemi prodhuar liderë në vend se burrështetas.

Kemi prodhuar tregime e përralla, por asnjë strategji zhvillimi.

E pa ndryshuar kjo qasje, çdo fitues zgjedhjesh do të vazhdojë të duket vetëm si fitues i përkohshëm i një krize të përhershme.

Ky duhet të jetë mësimi i vërtetë i 7 qershorit.

Qytetarët nuk po kërkojnë më shpëtimtarë por normalitet e mbi të gjitha, po kërkojnë shtet.