Kur Donald Trump fitoi bindshëm në nëntor, ai mori një mandat për të vënë Amerikën në radhë të parë.
Në diplomaci, kjo do të thotë t’i kushtojmë më shumë vëmendje fqinjësisë sonë—Hemisferës Perëndimore.
Nuk është rastësi që udhëtimi im i parë si sekretar i shtetit do të jetë në Amerikën Qendrore këtë të premte. Kjo është e rrallë për sekretarët e shtetit gjatë shekullit të kaluar. Për shumë arsye, politika e jashtme e SHBA-ve është përqendruar në rajone të tjera, duke lënë pas dore fqinjët tanë.
Si rezultat, kemi lejuar që problemet të përkeqësohen, kemi humbur mundësi dhe kemi neglizhuar aleatët. Kjo do të marrë fund tani.
Agjenda e politikës së jashtme të presidentit Trump fillon pranë shtëpisë. Prioritetet e tij kryesore përfshijnë sigurimin e kufijve tanë dhe ndalimin e pushtimit katastrofik të nxitur nga administrata e kaluar.
Roli i diplomacisë në këtë përpjekje është thelbësor. Duhet të bashkëpunojmë me vendet e origjinës për të ndalur dhe parandaluar flukset e mëtejshme migratore dhe për të siguruar pranimin e qytetarëve të tyre që ndodhen ilegalisht në SHBA.
Disa vende po bashkëpunojnë me ne me entuziazëm—të tjerat më pak. Të parët do të shpërblehen. Sa për të dytët, Trump ka treguar se është më se i gatshëm të përdorë fuqinë e madhe të Amerikës për të mbrojtur interesat tona.
Mjafton të pyesni presidentin e Kolumbisë, Gustavo Petro.
Megjithatë, edhe kur rrethanat kërkojnë qëndrueshmëri, vizioni i presidentit për hemisferën mbetet pozitiv. Ne shohim një rajon të begatë, plot mundësi. Mund të forcojmë marrëdhëniet tregtare, të krijojmë partneritete për të kontrolluar emigracionin dhe të rrisim sigurinë në hemisferën tonë.
El Salvadori, Guatemala, Costa Rika, Panamaja dhe Republika Domenikane—vendet që do të vizitoj në këtë udhëtim—kanë shumë për të përfituar nga një bashkëpunim më i madh me SHBA-të.
Këto vende janë lënë pas dore nga administratat e mëparshme, të cilat kanë favorizuar interesat globale mbi ato lokale dhe kanë ndjekur politika që përshpejtuan zhvillimin ekonomik të Kinës, shpesh në dëm të fqinjëve tanë.
Mund ta ndryshojmë këtë.
Pandemia e COVID-it tregoi sa e brishtë është mbështetja e Amerikës në zinxhirët e furnizimit të largët.
Relokimi i tyre në Hemisferën Perëndimore do të krijonte mundësi për zhvillimin ekonomik të fqinjëve tanë dhe do të siguronte stabilitet ekonomik për amerikanët.
Marrëdhëniet më të ngushta me SHBA-të sjellin më shumë vende pune dhe rritje ekonomike në këto vende. Kjo zvogëlon nxitjet për emigracion dhe u siguron qeverive të tyre të ardhura për të luftuar krimin dhe për të investuar në zhvillimin e tyre.
Ndërsa partnerët tanë rajonalë forcohen, ata do të jenë më të aftë për t’i rezistuar vendeve si Kina, e cila premton shumë, por ofron pak.
Migracioni masiv ka destabilizuar të gjithë rajonin tonë. Kartelet e drogës—të cilat tashmë, falë presidentit, janë kategorizuar si organizata terroriste të huaja—po marrin nën kontroll komunitetet tona, duke përhapur dhunë dhe duke helmuar familjet tona me fentanil.
Regjimet ilegjitime në Kubë, Nikaragua dhe Venezuelë po amplifikojnë qëllimisht kaosin. Ndërkohë, Partia Komuniste Kineze po përdor ndikimin e saj diplomatik dhe ekonomik—si në Kanalin e Panamasë—për të sfiduar SHBA-të dhe për të kthyer vendet sovrane në shtete vasale.
Jam i bindur se vendet që do të vizitoj do të jenë partnerë të gatshëm. Ashtu si presidenti Trump, liderët e tyre janë pragmatistë që vendosin qytetarët e tyre të parët. Dhe sepse janë pragmatistë, ata e kuptojnë se kanë shumë më tepër për të fituar duke punuar me SHBA-të sesa duke qëndruar larg.
Kjo është një qasje ndaj politikës së jashtme e bazuar në interesa konkrete të përbashkëta, jo në slogane të paqarta ose ideologji utopike.
Kjo do të jetë qasja që Departamenti i Shtetit do të ndjekë në të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare. Ne do t’u zgjasim dorën të gjitha kombeve me vullnet të mirë, me pritshmërinë e sigurt se ata do ta njohin potencialin e bashkëpunimit tonë.
Fatmirësisht, Hemisfera Perëndimore ka më shumë interesa të përbashkëta sesa konflikte.
Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri do të thotë gjithashtu të ndihmojmë fqinjët tanë të arrijnë madhështinë. Kërcënimet që presidenti Trump u zgjodh për t’i ndalur janë kërcënime për të gjitha kombet e hemisferës sonë.
Ne ndajmë një shtëpi të përbashkët.
Sa më e sigurt, më e fortë dhe më e begatë të jetë kjo shtëpi, aq më shumë do të përfitojnë të gjitha kombet tona.
Së bashku, nuk ka kufij për atë që mund të arrijmë.